Kondiloma perianale (condilomata achuminata)
Cfarë është?
Njihet me emrin verruke anale ose chondiloma achuminata. Janë formacione të vogla me diametër 2-3 milimetra, si kokriza që lokalizohen përreth kanalit anal por dhe në brendësi të tij. Njëkohësisht mund të evidentohen të lokalizuara dhe në organet gjenitale. Fillimisht ato janë të rralla dhe zënë sipërfaqe të vogël me kalimin e kohës ato shtohen në numër dhe zënë sipërfaqe më të madhe.
Ankesat
Pacientët referojnë për diskomfort, kruajtje, dhimbje gjatë defekimit, gjatë ecjes apo qëndrimit ulur, defekim me gjak të kuq, ndjenjën e një mase përreth kanalit anal apo në brendësi të tij, sekrecione mukoze përreth kanalit anal dhe prekjen e disa formacioneve në trjtë kokrizash në zonën perianale.
Shkaku
Kjo patologji shkaktohet nga një virus i quajtur papiloma virusi human(HPV). Ky transmetohet nga kontakti direct me mukozen anale, genital apo orale. Për këtë arsye konsiderohet dhe sëmundje seksualisht e transmetueshme. Prandaj rekomandohet që egzaminimeve duhet ti nënështrohet edhe partneri i pacientit apo pacientes.
Diagnoza
Diagnoza vendoset duke u vizituar klinikisht dhe më pas biopsia është ajo që jep përgjigjen përfundimtare.
Trajtimi
Trajtimi konsiston në heqjen e tyre. Mos trajtimi con në shtimin e tyre në numër dhe në sipërfaqe.Mos trajtimi i tyre dhe lënja për një kohë të gjatë shton rrezikun e shfaqjes së karcinomës(patologji malinje). Kur numri i tyre është i vogël rekomandohet krem me bazë podofiline ose krioterapi me azot të lëngët. Kur numri është më i madh dhe zë hapësirë të konsiderueshme duke u shtrirë dhe në brendësi të kanalit anal rekomandohet ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrja konsiston në djegjen e tyre me elektrobisturi ose me laser.
Ndjekja dhe ecuria postndërhyrjes
Kjo patologji ka një përqindje relativisht të lartë recidive(rishfaqje). Arsyeja është se virusi që shkakton patologjinë mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në gjendje gjumi në lëkurën perianale e cila në pamje duket e shëndoshë. Në moment të caktuar pas disa muajsh apo dhe vitesh ai bëhet përsëri shkaktar i shfaqjes së formacioneve kondilomatoze. Me tu rishfaqur ato duhet përseri të hiqen.
Pacientët me këtë diagnozë për një trajtim të suksesshëm kërkojnë një bashkpunim midis mjekut infeksionist dhe kirurgut koloproctolog.