Çfarë është fisura anale?
Fisura anale përfaqëson një dëmtim linear të kanalit anal. Morfologjikisht paraqitet si një zonë në formën e gërmës “V” me shtrirje në mukozë dhe në lëkurë. Haset në të dyja sekset me predominim tek femrat. Zakonisht lokalizohet në pjesën e pasme të kanalit anal. Lokalizimi i përparshëm është më i zakonshëm tek femrat. Lokalizimet jo të zakonshme (anësore) janë në pjesën më të madhe jehonë e patologjive inflamatore ose malinje.
Cilat janë ankesat e pacientëve me fisurë anale?
• Dhimbja e fortë e karakterit djegës. Ajo mund të zgjasi disa orë pas defekimit duke dëmtuar cilësinë e jetës së pacientit.
• Defekim me gjak të kuq te pastër në sasi të pakët.
• Në disa raste pacientët ankojnë dhe për probleme të urinimit.
• Për të eleminuar dhimbjen pacientët që nuk paraqiten tek mjeku rrallojnë aktin e defekimit ose përdorin preparate laksativ që zbusin feçet.
• Kur fisura anale infektohet dhimbja zbutet dhe në pjesën më të madhe të rasteve pacientët ankojnë për të kruajtura dhe sekrecione qelbi nga kanali anal.
• Në rastet e avancuara pacientët referojnë për evidentimin e një formacioni të rrumbullakët gjatë defekimit. Ky formacion njihet me emrin “papilla hipertrofike”.
Cilat janë shkaqet e fisurës anale?
Shkaku i fisurës anale është trauma e shkaktuar mbi mukozën e kanalit anal. Konstipacioni dhe diarreja mbahen si shkaktarët më të shpeshtë. Lindjet e fëmijëve mbi peshë ose lindjet e vështira në pjesën më të madhe të rasteve janë shkak i fisurës anale të përparshme. Në një pjesë të rasteve fisura anale është jehonë e patologjive inflamatore të kolonit, tumoreve të kolonit, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme etj.
Trajtimi i fisurës anale
Trajtimi dietetik dhe medikamentoz
Trajtimi dietetik konsiston në përdorimin e ushqimeve që kundërshtojnë konstipacionin. Ushqimet duhet të jenë të pasura me fibra dhe duhen shtuar lëngjet në djetë. Nga medikamentet fillimisht përdoret terapi me pomada me analgjezik dhe tualet lokal me ujë të ngrohtë. Terapia me pomade që relaksojnë muskulin e kanalit anal jepen vetëm pas konsultës me mjekun kurues. Terapia medikamentoze është një kombinim preparatesh te cilat jepen nga mjeku kirurg koloproctolog.
Trajtimi kirurgjikal
Rekomandohet ne rastet e fisurave anale kronike dhe të komplikuara. Duhet patur parasysh që përpara ndërhyrjes të përjashtohen patologjitë shoqëruese. Teknikat operatore konsistojnë në relaksimin e muskulit anal:
• Sfinkterotomia laterale e hapur ose e mbyllur(Parks,Notaras)
• Sfinkterotomia Taylor
• Fisurektomi, sfinkterotomi posteriore me anoplastikë
• Dilatacioni anal (shumë i kritikuar)
Teknika kirurgjikale që duhet aplikuar percaktohet nga kirurgu operator në varësi të specifikës së patologjisë. Ndjekja postoperatore kërkon kujdes të vecantë. Rikontrollet postoperatore përcaktohen nga kirurgu koloproctolog dhe ndiqen me rigorozitet.